Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot në një takim në Pallatin e Brigadave, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila po zhvillon punimet 3-ditore në Tiranë.
Kryeparlamentari shqiptar vlerësoi organizimin e këtij evenimenti për herë të parë në vendin tonë, si një moment mjaft të veçantë që tregon për sfidat të cilat ka kaluar Shqipëria. Duke përshëndetur samitin, Meta deklaroi se NATO është një zëdhënëse e paqes dhe stabilitetit.
"Kjo Asamble ishte një nder për ne. Shqipëria është një vend modest, por në të njëjtën kohë, një aleat i palëkundur i NATO-s dhe misionit të saj. Vërejmë me krenari se shqiptarët, janë pjesë e një kultuire të orientuar nga bashkëjetesa krah për krah me fqinjët", u shpreh Meta.
Ai vlerësoi gjithashut se Shqipëria është një faktor stabiliteti në rajon.
Për kreun e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Michael Turner, Shqipëria ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen në botë. Ai theksoi se shqiptarët kanë qenë një popull i privuar nga liria, por sot janë pjesë e aleancës më të fuqishme politiko-ushtarake të globit. "Shqipëria ishte mbyllur hermetikisht nga pjesa tjetër e botës. nuk është ekzagjerim të thuash që shqiptarët ishin të burgosur e të privuar nga liria, fizikisht e psikologjikisht. Por ky komb sot është transformuar. Shqiptarët kanë përqafuar vlerat mbi të cilat është themeluar aleanca jonë", u shpreh Turner.
Ai vlerësoi marrjen e ftesës nga Mali i Zi, duke e cilësuar këtë sukses për të gjithë rajonin. Turner tha se Shqipëria ka qenë mbështetëse e anëtarësimit të Malit të Zi.
"Integrimi i Malit të Zi është një sukses jo vetëm për këtë shtet, por edhe për Shqipërinë. Është pikërisht Shqipëria ajo që ka patur një angazhim të madh në këtë proces. Ju tashmë keni eksperiencë, keni një vend të bukur dhe një popull të mrekullueshëm", theksoi Turner.
Është hera e parë që Shqipëria merr përsipër organizimin asamblesë së NATO-s. Në pritjen e dhënë me këtë rast në Pallatin e Brigadave merrnin pjesë përfaqësues të NATO-s e politikanë shqiptarë.