Ish-guvernatori Ardian Fullani në seancën e fundit gjyqësore në Administrative para shpalljes së vendimit nërpmjet avokates mbrojtëse Erinda Ballanca kërkon rikthimin në postin e Guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Këtë kërkesë Fullani e paraqiti sëbashku me kërkesën për dëshpërblim moral prej 15 milion lekë dhe përfitimin e pagës bruto si Guvernator dhe anëtarë këshilli që nga dita e shkarkimit 18 shtator 2014 deri në riemërimin e tij në rast se do të pranohet nga gjykata.
Vetë Fullani nuk ishte i pranishëm në seancë ndërsa vendimi për këto kërkesa u la për t?u shpallur më 2 qershor 2016.
Për avokaten shkarkimi i Fullanit ishte thjesht politik pasi pafajësi ai mori në të gjitha shkallët e drejtësisë.
Dhe bazuar në këtë vendim pafajësie ajo kërkoi që Gjykata Administrative në rast të pranimit të padisë të detyrojë Bankën dhe Kuvendin të publikojnë vendimin e gjykatës në portalet e tyre zyrtare siç bënë në njoftimet për shtyp kur e shkarkuan.
Ndërkohë përfaqësuesit e Kuvendit dhe Bankës kërkuan rrëzimin e padisë me argumentin se nuk ka patur asnjë shkelje procedure në shkarkimin e ish guvernatorit.
Fullani u shkarkua dy vite më parë pas skandalit të vjedhjes së Thesarit të Bankës në vlerën e 713 milion lekëve, por dhe pse u akuzua për shpërdorim detyre ai mori pafajësi nga drejtësia shqiptare.