Report TV - Mos i hidhni më cigaret në rrugë, Bashkia ju ofron një zgjidhje

2016-05-26 3

Kosha të posaçëm për të hedhur bishtat e cigares. Është kjo nisma më e re e Bashkisë së Tiranës e cila ka vendosur kosha në formë cigareje. Koshat e posaçëm janë vendosur në rrugën Ded Gjon Luli, pas Muzeut Kombëtar dhe sipas Bashkisë së Tiranës do të vijojë vendosja e tyre edhe në rrugë të tjera. Por nisma e Bashkisë duket se duhet të shoqërohet edhe me sensibilizimin e qytetarëve që ti hedhin bishtat e cigareve në vendin e duhur.

Rrugët në kryeqytet i sheh shpesh të mbushura me bishta cigaresh. Në Shqipëri rrallë ndodh që të shikosh ndonjë qytetarë i cili i hedh bishtat e cigares në këta kosha, apo edhe në kosha të tjerë ku hidhen mbeturinat.

Nga një vëzhgim në rrugët e Tiranës, qytetarët as nuk ishin të interesuar për këta kosha në formë cigarjeje, ndërsa sapo përfundonin së konsumuari cigaren, zgjidhnin ta hidhin bishtin e saj në rrugë.

E njëjta gjë ndodh kudo, në stacione urbanësh, në afërsi të banesave, qytetarët e hedhin bishtin e cigares, në vendin ku e përfundojnë së konsumuari atë. Janë punonjësit e bashkisë që bëjnë pastrimit çdo ditë të rrugëve dhe që largojnë edhe bishtat e cigareve.