Report TV - Krerët e institucioneve që kanë ndryshuar emrin, i pari Nishani

2016-05-25 1

Presidenti Bujar Nishani rezulton ndër zyrtarët që ka ndryshuar gjeneralitetet. Në formularin e vetëdeklarimit për efekt të dekriminalizimit Presidenti bën publik faktin se ai në dokumentet e shkollës ka mbajtur mbiemrin e Mehmeti, një mbiemër ky tjetër i familjes së Presidentit.

Formularët janë bërë publik nga Parlamenti ndërsa rezulton se gjeneralitetet i ka ndryshuar edhe kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi. Emri i saj i mëparshëm ka qenë Lumturie.

Krahas kryetares, edhe anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni ka ndërruar emrin. Më parë ajo ka pasur emrin Luçe.

Manisë së ndërrimit të emrit s'i ka shpëtuar as një prej anëtarëve më të vjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. Emri i tij i mëparshëm ka qenë Klementin.

Mes atyre që kanë ndërruar emrat rezulton edhe ish Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Kule, rezulton se më parë quhej Theodhor Kuli ndërsa prej vitesh ai njihet dhe zyrtarisht me gjeneralitetet, Dhori Kule.

Me gjeneralitetet të ndryshuara rezulton dhe anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ela Golemi, e cila më parë quhej Manurela Golemi.

Ndërkohë i dënuar me 8 vite heqje lirie rezulton Gëzim Peshkëpia anëtar i Instituti të Studimeve për Krimet dhe pasojat e Komunizmit, ku po ashtu rezulton se në formular ka deklaruar se ka fituar azil politik në Gjermani gjatë viteve '90.

Dënimin e tij Peshkëpia e përshkruan si Politik dhe ai rezulton se është dhënë më 30 mars 1976 me vendim nr.180.

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, shkruan në formularin e vetëdeklarimit se nga viti 1991 e deri në vitin 1993, ka qenë emigrant në Greqi.

Ndërsa kreu i ILDKP, Shkëlqim Ganaj rezulton të ketë kryer pushime të gjata vjetore në Turqi nga viti 2009-ë deri në vitin 2013-ë.

Një tjetër anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Denada Prifti, rezulton se jeton prej vitit 1994 në Gjermani.

Ndër zyrtarët e lartë shtetëror që rezultojnë me emra të ndryshuar janë edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë si dhe kryetarët e Bashkive. Formularët me të dhënat e tyre u publikuan një javë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Free Traffic Exchange