Report TV - Baleti "Monger", Barak Marshall me balerinët shqiptarë ndezin skenën

2016-05-25 72

?Monger?, ky balet origjinal do të ngjitet këtë fundjavë, në datat 29 dhe 29 maj në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë. Premiera ngjitet në skenë me balerinët shqiptarë nga koreografi izraelito-amerikan me famë botërore, Barak Marshall.

Koreografi Marshall, i cili prej më shumë se dy javësh gjendet në Tiranë bashkon imagjinatën e tij me energjinë e balerinëve, që po performojnë këto skena dramatike e surreale me lëvizjet atletike. Dramatikisht provokativ dhe argëtues në premierën ?Monger? shkrihet baleti kontemporan, i pasuruar me nota të larta humori. Gjatë kërcimit kombinohen muzika Balkan Beat Box, Handel, Verdi dhe muzika izraelite.

Në konferencën për mediat, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i izraelit, Boaz Rodkin, koreografi Barak Marshall rrëfeu përmbajtjen e veprës.

"Kjo vepër trajton çështje te pushtetit, të mbijetesës. Me këtë vepër unë inspirohem nga historia e atdheut tim Izraelit, por kjo nuk është vetëm historia jonë. Baleti trajton çështje të lirisë dhe kompromisit që të gjithë ne bëjmë për të mbijetuar. Historia tregon për disa shërbyes të izoluar në bodrumin e shtëpisë së një zonje që i shfrytëzon ata. Zonja simbolizohet nga një zile që tingëllon duke vënë në lëvizje balerinët, " shprehet Barak Marshall. Ndërsa për marrëdhëniet me artistët shqiptarë Barak Marshall shprehet:Dua të sqaroj diçka që edhe për mua kjo koregrafi është një gjë e re. Unë jam i lumtur që e kam ndarë këtë eksperiencë me artistët shqiptarë. Ata janë balerinë shumë të mirë. Kemi punuar me shumë dëshirë dhe dashuri për baletin Monger. Gjatë ditëve të qëndrimit këtu unë kam mësuar edhe disa fjalë shqip. Më pëlqen të mësoj gjuhën shqipe.

Baleti ?Monger? i Barak Marshall është cilësuar nga kritika si "një krijim i shkëlqyer, inteligjent, dhe me humor..." Muzika është e jashtëzakonshme pasi sjell të kombinuar elemente te muzikës gipsi deri tek ajo klasike dhe rok që gjallërohet nga lëvizjet e balerinëve të njohur si Rovena Shqevi, Loreta Bala, Ledia Sulaj, Dion Gjinika, Julind Dervishi, Kristi Dalipi.