Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot deklaratave të ambasadorëve të një dite më parë, se nga Shqipëria po largohen investitorët e thuaj. Kreu i qeverisë theksoi se asnjë kompani e huaj nuk është larguar nga vendi. "Kush investitorë po ikën? Kush janë? Më thoni një. Bankers nuk po ikën, por po shitet, që do të thotë se po fiton. Bankers po vijon të punojë e do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Nuk ka gjerman në aeroportin e Rinasit. Gjermanët e kanë shitur me kohë pjesën e tyre e kanë thjesht një administrator. Dhe po shesin, shumë më tepër sesa e morën. Do t'i ndalojmë gjermanët e amerikanët të shesin? Këtu ka forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre e bëjnë çfarë të duan", u shpreh Rama.
Duke folur në konferencën "Reforma në ekonomi dhe klima e Biznesit?, Rama tha se fitimet e kompanive po rriten dhe kjo ka ardhur si rezultat i reformave të qeverisë në luftën kundër informalitetit. "Këtu në sallë ka edhe disa që kanë dalë kundër aksionit për informalitetin. Përfaqësues dhomash tregtie që kanë qenë kundër. Si do të kishim regjistruar ne 42 mijë biznese të reja, që për herë të parë pranonin t'i nënshtroheshin ligjeve të këtij vendi. Rezultatet flasin që ishte jo vetëm i domosdoshëm por ishte një ilaç shumë i rëndësishëm për të kuruar, se për të shëruar ndoshta s'do shërohet kurrë, se kemi dy vëllezër të mëdhenj, italianët e grekët e me këta do të kemi marrëdhënie flirtuale me informalitetin me të madhe se po të kishim vëllezër gjermanët apo anglezët. Këtu gjithmonë e më shumë po shtrëngohet rrethi i lirisë për të mos paguar. S'mund ta kuptoj dot që fitimet e kompanive janë rritur, si ka mundësi? Nëse ne do të kishim një situatë pesimiste në ekonomi, këto rezultojnë me rritje. Pjesë e kësaj rritje është edhe dalja nga zona informale në zonën formale. Kemi kompani shumë të mëdha që kanë bërë namin duke punuar si pika pakice. Nuk i fajësojmë, ka qenë koha, kështu ishte koha dhe nga ana tjetër kompanitë janë në treg për të fituar, jo për të vendosur ligjin, është detyra jonë kjo. Nëse sot kemi një rritje të volumit të deklaruar, dhe një ulje të informalitetit kjo s'është diçka për tu gëzuar, për kompanitë apo sipërmarrjen e mësuara duke ia hedhur shtetit, por është diçka për tu nënvizuar si një hap i rëndësishëm përpara për të vendosur një konkurrencë të lirë e të ndershme në treg", theksoi kryeministri Rama.