Report TV - Ndotet plazhi i Zvernecit,nis puna për pastrimin e sipërfaqes nga nafta

2016-05-24 1

Katastrofë mjedisore në plazhin e Nartës. Një sasi e konsiderueshme bitumi është përhapur në det duke ndotur bregun rreth 5 kilometrash.Shkak për këtë është bërë një defekt në një anije turke që ishte duke marrë bitum në depozitat e Petroliferës.

Kompania ka shpjeguar edhe arsyet e këtij defekti që solli ndotjen. Sipas saj, një nga tubat e pompimit ka pësuar defekt gjatë procesit duke sjellë shpërthimin e tapës bllokuese.

Defekti ka zgjatur për pak sekonda, ndërkohë që kompania ka marrë menjëherë masat duke rrethuar zonën për të ulur nivelin e ndotjes. Për shkak të dallgëve, sasia e bitumit është shpërndarë në det. Sipas nenkryetarit te bashkisë Vlorë Ardian Musta ndaj anijes turke me flamur maltez është vënë gjobë 1 milionë lekë të rinj.

Menjëherë pas kësaj ndotje kanë reguar struktura vendore të bashkisë dhe ushtrisë, duke ndërhyrë për pastrimin e të gjithë vijës bregdetare.

Me anë të një statusi në faqen e saj në Facebook, ministrja Mimi Kodheli njofton se Forca Detare është në lundrim në ndihmë të operacionit për pastrimin e saj.

Gjithashtu Ministri i Mjedisit, Lefter Koka kanë shkuar në terren për identifikimin e ndotjes mjedisore dhe marrjen e masave të menjëhershme për shmangien e problemeve të mëtejshme.

Më tej ministri shprehet se përgjegjësit do të përballen me masat më të ashpra që ligji parashikon deri në rehabilitimin e plotë të dëmit mjedisor të shkaktuar.