Report TV - Rama: Investitorët e huaj nuk janë larguar, po rrisin fitimet

2016-05-24 1

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sot deklaratave të ambasadorëve të një dite më parë, se nga Shqipëria po largohen investitorët e thuaj. Kreu i qeverisë theksoi se asnjë kompani e huaj nuk është larguar nga vendi.

"Kush investitorë po ikën? Kush janë? Më thoni një. Bankers nuk po ikën, por po shitet, që do të thotë se po fiton. Bankers po vijon të punojë e do të ketë të gjithë mbështetjen tonë. Nuk ka gjerman në aeroportin e Rinasit. Gjermanët e kanë shitur me kohë pjesën e tyre e kanë thjesht një administrator. Dhe po shesin, shumë më tepër sesa e morën. Do t'i ndalojmë gjermanët e amerikanët të shesin? Këtu ka forca brenda biznesit që janë mësuar të hapin dyert për interesat e tyre e bëjnë çfarë të duan", u shpreh Rama.

Duke folur në konferencën "Reforma në ekonomi dhe klima e Biznesit?, Rama tha se fitimet e kompanive po rriten dhe kjo ka ardhur si rezultat i reformave të qeverisë në luftën kundër informalitetit.