Report TV - Lirimi nga burgu i Lezhës, ja si fitoi 8 herë ulje dënimi kosovari

2016-05-23 6

Tetë herë i është ulur dënimi Shaip Zukajt 41 vjecari nga Kosova i cili që pas ekstradimit nga Belgjika në 2012 i është drejtuar gjykatës së Lezhës ku dhe ka përfituar uljen e kohës së burgimit deri në lirim.

Është pikërisht lirimi i Zukajt i cili tashmë është kthyer në një problem midis Kosovës dhe Shqipërisë por dhe ministrisë së drejtësisë e drejtorisë së burgjeve që liroi Zukajn.

Media raportoi një ditë më parë lirimin e Zukajt dhe pse ai duhej dorëzuar palës kosovare për llogari të një ekstradimi.

Drejtoria e burgjeve reagoi duke thënë se në dosjen e tij nuk kishte asnjë kërkesë për ekstradim. Pak orë pas kësaj deklarate reagoi dhe ministri manjani duke e quajtur lirimin e tij si një çështje që ka përfshirë disa zyrtarë dhe jo vetëm në Lezhë por dhe në tiranë.

Cilët janë këta zyrtarë të përfshirë në lirimin e Zukajt është hetimi që pritet ti zbardh ndërsa ReportTV ka mundur të sigurojë informacione se në sektorin Juridik të IEPV Lezhë është shkaktuar skandali që ka sjellë lirimin e të kërkuarit dhe dënuarit për vrasje.

Siç dhe shihni në këtë faksimile të uljeve të dënimit që ka përfituar Zukaj rezulton se 2 nga këto kërkesa janë gjykuar dhe prej Parashevi Ademit sot ish gjyqtare pasi është dënuar për korrupsion. Pas lirimit Zukaj dyshohet se ka lënë Shqipërinë në rrugë ilegale pasi në rrugë legale ai e ka patur të pamundur të kalonte kufirin sepse në sistemin e shtetasve TIMS ai rezulton i kërkuar sic dhe faktohet në këtë faksimile.

Veçuar nga prokuroria e Lezhës që po heton lirimin e Zukajt një hetim administrative ka nisur dhe në drejtorinë e Burgjeve për të inspektuar procedurën e lirimit të Kosovarit me precedent penal.