Report TV - Zgjedhjet në PDIU, Idrizi është rikonfirmuar në krye të partisë

2016-05-21 0

Shpëtim Idrizi është rikonfirmuar në krye të Partisë Drejtësi, Integrim e Unitet nga votat e anëtarësisë së partisë që drejton.

Pas votimeve që u kryen në çdo qytet, Shpëtim Idrizi duket se ka marrë numrin më të madh të votave, në krahasim me rivalin e tij Halil Hyseni.

PDIU bën të ditur se, në total votuan 19634, ose 81.5 për qind të anëtarëve ku janë numëruar 148 vota të pavlefshme dhe 19.454 vota të vlefshme, ndërkohë që 32 vota janë hedhur në kuti të gabuar.

Kandidati Halil Hyseni ka marrë 5367 vota, ose 27.6 përqind të votave të vlefshme, ndërsa kandidati Shpëtim Idrizi ka marrë 14087 vota, ose 72.4 për qind të votave të vlefshme.

Në një dalje të posaçme për mediat, deputetja e PDIU-së Mesila Doda ka thënë se, nisur nga ky rezultat, Shpëtim Idrizi do të jetë kryetar i PDIU-së, për një mandat të ri katërvjeçar.

"I urojmë suksese kryetarit të ri të PDIU dhe ftojmë të gjithë anëtarësinë që të vazhdojmë së bashku këtë rrugëtim të suksesshëm, në shenjën e besimit, bashkëpunimit dhe garës" tha ajo.

Free Traffic Exchange