Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u shpreh sot gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Sigurisë se kreu i SHISH, Visho Ajazi Lika shkeli ligjin.
Tahiri tha se deklaratat e tij në komision, kanë cenuar sigurinë kombëtare të vendit.
Sipas tij, është shqetësues fakti që informacionin për pajisjen e përgjimit kreu i SHISH e ka ndarë me Presidentin dhe jo me kryeministrin.
"Jam vënë në dijeni që drejtori i SHISH ka gjykuar që një informacion ta ndajë me Presidentin dhe jo me Kryeministrin. Ndoshta ky ka qenë vlerësimi i drejtorit të SHISH për cilësinë e informacionit. Mund të ketë qenë një informacion me cilësi aq të dobët sa mund të ndahej me Presidentin por jo aq serioz sa mund të ndahej me Kryeministrin. Kjo është në vlerësimin e tij. Unë nuk kam marrë asnjë dijeni nga drejtori i SHISH për një informacion të tillë. Nuk jam informuar nga drejtori i SHISH. Besimi i ndërsjellë mes institucioneve do e donte që siç tha drejtori i SHISH mori një informacion dhe pastaj e vërtetoi në google se çfarë ishte pajisja. Tha dhe deputeti që e ka parë në internet. Këto janë lojëra rrjetesh sociale dhe internet dhe nuk kam kohë të merrem me to. Nuk besoj se siguria ndërtohet duke parë në google dhe internet pajisje. Nuk mund ta fsheh që do kisha preferuar që drejtori i SHISH të kërkonte informacion nga policia e shtetit apo unë si Ministër dhe në rast se do ta vlerësonte të nevojshme mund të informonte dhe prokurorin dhe të gjithë autoritetet e tjera të larta shtetërore që në bazë të ligjit është i detyruar ti informojë. Por kjo mbetet në vlerësimin dhe çmimin e tij. Kam bindjen që Komisioni i Sigurisë do t'i vlerësojë mirë ato që u thanë këtu nga drejtori i SHISH. Unë kam bindjen që më shumë shkelin sigurinë ato që u thanë këtu nga Drejtori i SHISH sesa shqetësimi juaj i pavërtetë për një pajisje", u shpreh Tahiri.