Report TV - Basha: PD, draft për reformën në drejtësi, shpresoj te dialogu

2016-05-18 0

Partia Demokratike do të ketë një draft të saj me amendamente kushtetuese për reformën në drejtësi. Sipas kryetarit demokrat, propozimet e opozitës janë në përputhje me rekomandimet e Venecias. Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD, Basha tha se kjo është një lëvizje për t'i dhënë zgjidhje politike çështjes.

"Opozita edhe kësaj radhe po tregon se ka seriozitetin për të ecur përpara me reformën. I takonte mazhorancës t'i hidhte këto hapa, por s'e bënë. Shpresoj që dialogu politik nuk do të vonojë. Duhet të kemi një sistem që i shërben qytetarëve dhe jo politikës", u shpreh Basha.

Duke komentuar debatin e përgjimeve, Basha tha se nuk ka për tu zbardhur ky skandal, sa kohë që personat e implikuar, Saimir Tahiri dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit janë ende në detyrë. "Njësoj si para 40 viteve kur teknologjia ishte më e prapambetur që çoi në dorëheqjen e një Presidenti, skandali do të zbardhet deri në fund dhe personat do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet e ligjit".