Report TV - Mbërrin nga Greqia urdhri i arrestit për Kelmend Balilin

2016-05-17 5

Kelmend Balili, 46 vjeç, është zyrtarisht person në kërkim ndërkombëtar. Sot në mesditë, ka mbërritur tek autoritetet shqiptare, konkretisht te Interpol Tirana, urdhri i arrestit nga autoritetet greke.

Lajmi konfirmohet për Report Tv nga burime të Policisë së Shetit, ndërsa dokumenti i Interpol Athinës prej 20 faqësh, ka mbërritur rreth orës 14:00 të kësaj të marte.

Balili kërkohet nga autoritetet greke për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

Urdhri i arrestit ka mbërritur vetëm sot, pavarësisht se hetimet e autoriteteve greke dhe atyre shqiptare kishin disa muaj që zhvilloheshin dhe realizimi i operacionit është kompletuar javën e kaluar.

Ka pasur një sërë procedurash burokratike të cilat kanë vonuar transferimin e urdhrit të arrestit nga Greqia në Shqipëri për Balilin.

Bashkë me urdhrin e arrestit, është përcjellë edhe foto si dhe gjeneralitetet e tjera të tij.

Hetimi ndaj Kelmend Balilit në Greqi, është bërë nga ?DEA? amerikane dhe Policia greke. Në këtë hetim, DEA amerikane e policia greke, janë asistuar edhe nga policia shqiptare.

I cilësuar si baron i drogës apo "Escobari" i Ballkanit, Kelmend Balili është shpallur tashmë zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar. Kjo do të thotë se që nga ky moment ai është në kërkim edhe nga Policia Shqiptare dhe në momentin e parë që do të identifikohet, do të vihet në pranga.

Ndërkohë, prej 1 jave Balili ndodhet në arrati. Policia e Sarandës nuk mundi ta shoqëronte atë në komisariat ku do të merrej në pyetje për akuzat e autoriteteve greke, pasi Balili nuk u gjet në asnjë prej banesave të tij në Sarandë dhe Delvinë.

Kelmend Balili mbante detyrën e Drejtorit të Transportit Rajonal Rrugor në Sarandë. Ai u shkarkua nga kjo detyrë pas akuzave të ngritura nga mediat greke se ishte koka e një organizate të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Free Traffic Exchange