Kelmend Balili rezulton të jetë në listën e të kërkuarve të policisë Shqiptare. Një fakt i tillë është konfirmuar për ?Report TV?, nga burime të Policisë së Shtetit, që thanë se emri Balilit, është në listën e personave të kërkuar në të gjitha pikat e kalimit kufitar në vend. Ndërkaq nga kontrollet e kryera në sistemin e Policisë Kufitare TIMS, rezulton që Balili nuk ka dalë nga Shqipëria dhe rezulton të jetë në vend. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë larguar me pasaportë false, apo nga kufiri i gjelbër.
Po ashtu të gjithë komisariatet dhe njësitë policore kanë të dhënat e tij si person në kërkim nga ana e policisë. Ndërkaq edhe pse nuk specifikohet natyra e kërkimit ndaj tij, burimet thonë se bëhet fjalë për kërkim policor ndaj Balilit, ndërsa ende nga prokuroria nuk ka një urdhër arresti për të. Kjo për faktin se policia dhe prokuroria greke ende nuk kanë nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar për të.