?Pranverë 2016? çon pas hekurave 6 persona të shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Arrestimi i tyre është bërë nga Policia e Tiranës në 24 orët e fundit ku në kontrolle dhe postblloqe është bërë i mundur kapja e të kërkuarve.
Mes tyre janë Astrit Elezaj 51 vjeç i dënuar në Itali, Grigor (Genci) Lamaj i dënuar në Itali, Leonart Pajolli, 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar në Shqipëri.
Po ashtu janë arrestuar Robert Vila 42 vjeç i dënuar në Shqipëri, Bashkim Methasani 43 vjeç i dënuar për mospagim taksash dhe Eduart Methasani 35 vjeç po për mos pagim taksash.
Këta shtetas rezulton të kenë mbi 35 vite dënime të pashlyera ndërsa pas arrestimit të tyre kanë nisur procedurat e ekstradimit për të kërkuarit nga drejtësia italiane.
Ndërkohë burime nga Policia e Tiranës bënë me dije se nga kjo fundjavë menaxhimi i sigurisë dhe rendit në kryeqytet ka hyrë në një fazë të re pasi patrullat e komisariateve mbështeten nga njësitë speciale përfshi dhe efektiva civil që ndërhyjnë në raste të një rreziku apo kapjes së personave me precedent.