Kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj akuzoi sërish sot ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Policinë e Shtetit si të implikuar në trafikun e drogës.
Sipas tij, kupola e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë ishin zhvendosur në Rrugën e Kavajës në vilën e Emiliano Shullazit.
Akuza pati edhe në drejtim të kryeministrit se i del në mbrojtje ministrit të lidhur me krimin.
"Projekti i madh i Tahirit ishte krijimi i një hambari të madh droge të pahasur më parë në vend, dhe ai organizoi gjithë infrastrukturën për këtë. Nën drejtimin e tij mbarë territori u mboll me kanabis. Pas çdo kodre me drogë është nje pakt 30 përqindësh i bandave me Tahirin. Tahiri ka një grusht njerezish koordinatorë të mbjelljes, rritjes dhe shitjes së drogës, mes tyre spikasin Habilajt, banda e Shullazit, dhe siç u evidentua Balili i Sarandës", u shpreh Alibeaj.
Ai tha se PD e denoncoi një vit më parë Kelmend Balilin, por qeveria e mbrojti. "Kur Partia Demokratike e denoncoi në vitin 2014 emërimin e trafikantit të njohur në krye të transporteve në rajonin e Sarandës, qeveria e mbrojti dhe Tahiri u kujdes ti jepte dhe më shumë pushtet e paprekshmëri", tha ai.
Në vijim të akuzave ndaj ministrit Tahiri, Alibeaj tha se ai është i implikuar edhe në laboratorin e drogës të Xibrakës.