Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim, në Sallën e Hartave në Kryeministri, me drejtues të universiteteve, Akademisë së Shkencave, të institucioneve të kërkimit shkencor, akademikë e pedagogë, në kuadër të një procesi konsultimesh, që i paraprin reformës në sistemin e kërkimit shkencor. Takimi zhvillohet pas procesit të auditimit dhe vjeljes së opinioneve që secili prej këtyre institucioneve ka kryer për të identifikuar problematikat dhe propozuar zgjidhje, me qëllim përmirësimin e funksionimit sa më efikas të tyre.
Kryeministri Rama vlerësoi rëndësinë e procesit të konsultimit, si një pararendës i domosdoshëm i hapave të mëtejshëm për reformën në kërkimin shkencor. Kryeministri i njohu akademikët me një klasifikim të përgjithshëm të opinioneve dhe propozimeve të marra.
?Propozohen ndryshime përgjithësisht rrënjësore, ose dhe të pjesshme të kuadrit ligjor dhe nënligjor të Akademisë. Është pozitive, në këndvështrimin tonë, që shprehet një nevojë për një rishikim të vizionit dhe misionit të Akademisë. Konkluzionet janë që në gjendjen aktuale, nga gjithë këto kontribute nuk kemi një analizë shteruese të shkaqeve të performancës së pamjaftueshme. Ka një tendencë që është e përgjithshme për çështjen e financimit, për të kuptuar se kush janë burimet përtej burimit buxhet shteti, që mund t?i japin Akademisë më shumë frymëmarrje financiare?, u shpreh Rama.