Report TV - LGBT, pedalim në Tiranë kundër homofobisë, Lu: Guximtarë

2016-05-14 1

Përfaqësues të komunitetit LGBT pedaluan me biçikleta sot në Tiranë kundër diskriminimit të tyre.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë dhe ambasadori amerikan, Donald Lu si dhe ajo e Holandës, Dewi van de Weerd.

Organizatorët e këtij aktiviteti, Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj u shprehën se duhet ende shumë punë për të garantuar të drejtat e komunitetit LGBT, pasi sipas tyre ata ndjehen të diskriminuar dhe të paragjykuar.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu u shpreh se vlerëson guximtarët që luftojnë për të drejtat e tyre.

"Kam respekt shumë të madh për guximtarët që luftojnë për të drejtat e komunitetit LGBT", deklaroi Lu.

Ambasadorja e Holandës në Tiranë, Dewi van de Weerd tha se ndjehej e entuziazmuar për praninë e madhe të qytetarëve në pedalimin e LGBT.

"Jam e kënaqur që jam këtu sot dhe ka një prani gjithnjë e më të madhe të qytetarëve që janë të pranishëm dhe marrin pjesë në këtë aktivitet. Dua të shpreh vlerësimin për guximin që kanë këta njerëz", u shpreh ambasadorja holandeze në Tiranë.