Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani tha gjatë një konference për shtyp se Kelmend Balili ka qenë sponsorizues i fushatës së PS në 2013-ën.
PD paralajmëroi një ditë më parë publikimin e fakteve të lidhjeve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me trafikantët e drogës dhe sipas selisë blu ky është një prej rasteve.
Ristani tha se PD e denoncoi e aktivitetin e Balilit që në vitin 2014-ë, por atij iu ofrua mbrojtje politike. Sipas tij, kjo ka ardhur si rrjedhojë e lidhjeve të tij me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, përmes vëllezërve Habilaj.
?Sot vijojmë publikimin e fakteve tronditëse për rolin e Saimir Tahirit dhe funksionarëve të emëruar prej tij, në kultivimin dhe trafikun ndërkombëtarë të drogës.
Rasti më i fundit është Drejtori i Transportit në Sarandë, Klemend Balili të cilin autoritetet greke dhe shërbimet e partnerëve ndërkombëtarë, e kanë cilësuar si një ndër kokat e një organizate kriminale të narkotrafikut.
Klemend Balili është konsideruar nga mediat greke si baroni i drogës apo "Escobari i Ballkanit".
Opozita e ka denoncuar që në vitin 2014 dhe konkretisht më 18 maj, kohë kur Edi Rama e emëroi drejtor të Transportit , si të lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës. Klemend Balili është arrestuar në korrikun e vitit 2006 me 750 kilogramë kanabis. Aksion i suksesshëm i policisë në atë kohë pasi i arrestuari dyshohej se drejtonte një klan kriminal në Sarandë e përreth.
Klemend Balilaj njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013. Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klemend Balilaj ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Nga informacionet e brendshme të oficerëve me integritet në Policinë e Shtetit, partnerëve ndërkombëtarë, dhe strukturave të hetimit të specializuara në Shqipëri, që kanë hetuar shtetasin Klemend Balilaj, rezultojnë lidhje të tij të forta nëpërmjet ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit si më poshtë:
Ish-drejtori i Forcave së Posaçme Operacionale Albert Pata
Drejtorin e Policisë së Durrësit Perlat Çullhaj
Drejtorin e Policisë Vlorë Jaert Çelaj
Drejtorin e Policisë Gjirokastër Aranit Arapi
Ish-drejtorin e Kufirit në Vlorë Kastriot Skënderi, i cili në vitin 2015 në zonën e Kakomesë u kap me një kamion me 1 ton lëndë narkotike e llojit kanabis sativa?, u shpreh Ristani.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nesër PD do të publikojë të tjera fakte tronditës të lidhjeve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe funksionarëve të lartë të Policisë së Shtetit me trafikun ndërkombëtarë të drogës.