Policia e kryeqytetit pas rreth 3 muajsh hetime ka bërë të mundur zbardhjen e vrasjes së Vasil Bibës në zonën e Dajtit.Është bërë i mundur identifikimi i autorit të vrasjes i cili është Bledar Mneri nga Tirana.
Ngjarja e rëndë kriminale ka ndodhur në datë 14 shkurt 2016. Shtetasi Vasil Biba u gjet i vrarë me dy plumba në kokë dhe i groposur në vendin e quajtur ?Zabel?, në territorin e Komunës së Dajtit.
Autori i kësaj ngjarje dyshohet të jetë shtetasi Bledar Mneri, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkëpunim, të punonjësit të Policisë së Shtetit A.M.,ndodhur në vitin 1997. Autori i dyshuar është gjithashtu një person me precedentë penalë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Mneri u shpall në kërkim nga Policia pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për këtë shtetas ka vendosur në mungesë masën e sigurimit personal "Arrest në burg".
Nga hetimet e kordinuara të Policisë dhe Prokurorisë, dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje ka qenë mashtrimi në fushën e ndërtimeve dhe shuma të mëdha të pashlyera (borxhe) nga ana e viktimes.
Policia e Tiranës është angazhuar me të gjitha forcat e saj për kapjen e këtij shtetasi dhe vënien sa më shpejt përpara përgjegjësisë ligjore.