Report TV - Nuk zgjidhi problemin tek Sigurimet 68-vjeçari qëllon me çifte në ajër

2016-05-11 1

Ka shkuar për tu interesuar për pensionin por sorollatja në zyrën e Sigurimeve shoqërore ka bërë që 68-vjeçari Haxhi Lisaj të qëllonte në ajër plot 5 herë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09-10 të së mërkurës, ndërsa nga të shtënat fatmirësisht nuk ka pasur pasoja në njerëz.

Ndërhyrja e menjëhershme e efektivit të patrullave të përgjithshme ka bërë që të neutralizohet i moshuari dhe më pas të arrestohet.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Lisaj kishte që në orët e para të mëngjesit pranë institucionit të Sigurimeve Shoqërore, pasi kishte pretendimin mbi pensionin.

Por përgjigja e marrë nga punonjësit e sigurimeve shoqërore ka irrituar edhe më shumë 68-vjeçarin i cili është larguar pranë biçikletës së tij nga ku ka nxjerrë armën, shotgan, dhe është afruar përsëri pranë godinës se Sigurimeve Shoqërore, ku edhe ka nisur të qëlloj në ajër.

Pasi ka gjuajtur, i moshuari ka lënë armën në tokë dhe është dorëzuar tek efektivi i patrullave të përgjithshme, i cili ka ndërhyrë menjëherë pasi ka dëgjuar të shtënat në ajër.

Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur edhe grupi hetimor i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa i moshuari pas arrestimit është dërguar në komisariatin e Shkodrës ku edhe do të merret në pyetje mbi ngjarjen e rëndë që fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz.