Report TV - PD kundër EURALIUS E OPDAT: Hetim ish ministrave të Berishës

2016-05-08 0

Partia Demokratike ka prezantuar pasditen e të dielës qëndrimin e saj për draftin përfundimtar të ekspertëve të EURALIUS e OPDAT për reformën në drejtësi.

Një ditë para votimit në parim në komisionin e posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi të projektit kushtetues, demokratët pozicionohen kundër kufizimeve kohore në hetimin e ish ministrave.

Përmes një letre drejtuar komisionit të posaçëm parlamentar si dhe ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin, PD sqaron se nuk ka qenë kërkesë e tyre kufizimi kohor në hetimin e ish ministrave të vetëm tre viteve të fundit, ndërsa në vlerësimin e tyre, hetimi i ish zyrtarëve të lartë duhet të shtrihet në kohë.

"Në draftin e rishikuar në komponentin antikorrupsion (nenin 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë ?ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit?. Duam të theksojmë fort se kjo pikë nuk është kërkuar ASNJËHERË, as nga ekspertët e opozitës dhe as nga ndonjë anëtar i opozitës në Komision. Ne e kemi shprehur dhe e ripërsërisim qëndrimin tonëpër luftë pakompromis ndaj korrupsionit dhe se kemi qenë, jemi dhe do të jemi KUNDËR cdo kufizimi kohor për hetimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve, sepse korrupsioni duhet të dënohet pavarësisht nga koha kur apo nga kush është kryer. Nga ana tjetër, sa i takon hetimit të ish ministrave, ku në draftin e rishikuar, në komponentin antikorrupsion (neni 25) është parashikuar se subjekt i hetimit do të jenë ndër të tjerë ?ish ministrat gjatë 3 viteve të fundit?, thuhet në qëndrimin e PD.

PD shprehet edhe njëherë tjetër kundër zgjedhjes së funksionarëve të lartë të drejtësisë me shumicë të cilësuar prej 3/5.

Ndonëse vlerësojnë ndryshimet e bëra në projektin kushtetues nga ekspertët e huaj, për opozitën edhe drafti final nuk i ka dhënë zgjidhje rrezikut të kapjes politike të sistemit të drejtësisë.

"Mbi çështjen e moskapjes politike të sistemit të drejtësisë, e cila është më së shumti çështje politike, sesa teknike, zgjidhja e mbrojtur nga mazhoranca për emërimin e të gjithë funksionarëve të lartë të sistemit të drejtësisë (anëtarëve të GJK, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, 5 anëtarëve të jashtëm të KLGj-së dhe KLP-së, anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Kualifikimit pranë GJK) me 3/5 e votave që zotërohen prej saj aktualisht në Kuvend, ka qenë dhe mbetet e papranueshme për ne", thuhet në qëndrimet e demokratëve.

Edhe më herët, PD ka kërkuar votim me shumicë absolute prej 2/3, për zgjedhjet e titullarëve të institucioneve kushtetuese.

Gjithashtu, opozita është kundër edhe ndërprerjes së mandateve të funksionarëve të institucioneve të drejtësisë.

Free Traffic Exchange