Report TV - Vrasja në Durrës, 38 vjeçari u vra me 'scorpion' me silenciator

2016-05-08 10

Një person është ekzekutuar me armë zjarri sot në qytetin e Durrësit.

Viktima është Shpëtim Shala, 38 vjeç, baba i tre vajzave, i cili është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij, tip Volfswagen "Golf 5" me targa AA 086 HJ.

Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të plazhit të Durrësit, ku fare pranë ndodhet edhe shtëpia e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Sipas Policisë, krimi është kryer me anë të një arme "scorpion" me silenciator, ndërsa autorët mësohet të kenë qenë vrasës profesionistë.

Policia ka gjetur 10 gëzhonja në vendin e ngjarjes, çka nënkupton se në drejtim të trupit të viktimës është qëlluar disa herë.

Shpëtim Shala ishte banor i qytetit të Durrësit, por jetonte me qira.

Atentati është i paramenduar pasi dyshohet se viktima është ndjekur prej kohësh nga vrasësit dhe i është bërë pritë vetëm ditën e sotme.

Pak para se të qëllohej për vdekje, Shpëtim Shala ka qenë duke luajtur futboll me shokët e tij në zonën e plazhit.

Pas ndeshjes, Shala ka qenë duke u larguar me automjetin e tij Volfswagen "Golf 5", kur edhe i është bërë atentati që i mori jetën.

Policia ka shoqëruar 15 persona të dyshuar si autorë të vrasjes, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendit ku ndodhi krimi.

Burime pranë policisë së Durrësit thonë se shkak i vrasjes dyshohet të jetë hakmarrja, por nuk përjashtohet edhe një sherr i momentit mes viktimës dhe autorëve të krimit.

Megjithatë, Shala njihej në Durrës si person me precedent të mëparshëm penal, pasi pak vite më parë ishte hetuar për trafik lëndësh narkotikësh.

Gjithashtu, Shpëtim Shala rezulton i shoqëruar disa herë nga Policia për ngjarje të ndryshme kriminale në Durrës, por asnjëherë nuk është provuar përfshirja e tij direkte.

Free Traffic Exchange