Humbja e pushtetit është reflektuar në deklaratat vjetore të pasurisë, të disa prej ish-ministrave të qeverisë ?Berisha?. Tre vjet pas largimit nga pushteti, rezulton se të ardhurat kryesore të disa ish-ministrave të Berishës vijnë nga gratë e tyre. Ata deklarojnë paga deri në 40 mijë euro dhe depozita qindra mijëra euro në emër të bashkëshorteve. Edhe pse ka një dosje në prokurori për fshehje pasurie, ish-kryefinancieri Ridvan Bode thotë se, të ardhurat kryesore i kanë ardhur nga aktiviteti i bashkëshortes, Jola Bode.
Në emër të bashkëshortes, Bode deklaron të ardhura nga obligacionet 1,200,000 lekë, tre llogari rrjedhëse shtuar me 2,052 lekë dhe 299,592 lekë. Po ashtu, Bode deklaron të ardhura nga paga e bashkëshortes si pedagoge në Universitetin e Tiranës, 1,905,000 lekë, të ardhura po të bashkëshortes nga bonot e thesarit, 213,000 lekë si dhe të ardhura nga depozita, 46,000 lekë.