Report TV - PD, PS e LSI refuzojnë takimin me ambasadorët Lu e Vlahutin

2016-05-05 0

Partitë politike kanë anuluar mbledhjet e Grupeve Parlamentare me ambasadorët Lu dhe Vlahutin, të parashikuar për tu mbajtur ditën e premte.

Fillimisht ishin demokratët ata që anuluan këtë mbledhje. Një mesazh i ardhur deputetëve konfirmonte këtë takim.

Afro një orë më pas u njoftua edhe anulimi i mbledhjes së grupeve parlamentare të PS dhe LSI. Ende nuk dihen arsyet e anulimit të mbledhjeve apo nëse do të mbahen në të ardhmen.

Ndërkaq, Ambasada Amerikane njofton se po punohet që këto takime të mund të realizohen në javën e ardhshme.

Kjo iniciativë e ambasadorëve për të qenë prezent gjatë diskutimeve në mbledhjet e grupeve parlamentare ka shkaktuar debate edhe në seancën Parlamentare.

Për kryeministrin Rama kjo është një gjë normale, duke deklaruar gjithashtu se ambasadorët duan të takohen me grupin demokrat, pasi sipas tij të majtët janë gati ta votojnë Reformën.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin morën pjesë një ditë më parë në Komisionin e Reformës në Drejtësi ku iu drejtuan deputetëve se nëse dështon reforma në drejtësi ky do të jetë një turp i tyre për zgjedhësit, SHBA e Bashkimin Evropian.