Report TV - '14 shtatori',Klosi: Berisha grusht shteti, selia e PD plot me armë

2016-05-03 8

Ish kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, kujton ngjarjet e grushtit të shtetit të 14 shtator 1998-ës, kur gjatë ceremonisë mortore të Azem Hajdarit, turma e armatosur me arkivolin në krah, sulmoi selinë e Këshillit të Ministrave. I ftuar në emisionin "45 minuta" nga Denis Minga, në Report Tv, Klosi tregon një detaj të padëgjuar më parë kur pas grushtit të shtetit të opozitës së asaj kohe, Shërbimit Informativ Shqiptar i është kërkuar nga Shërbimet Informative të vendeve partnere të bastisin në kushtet e flagrancës selinë e Partisë Demokratike, pasi kishte informacione se ishte e mbushur me armë.

Klosi thotë se SHISH dhe Policia nuk mund të ndërmerrnin një operacion të tillë pas revoltës së armatosur te Kryeminsitria dhe RTSH, pasi s'kishin kapacitete njerëzore. Sikurse, thekson Klosi, kishte dhe mungesë të funksionimit të institucioneve, pasi kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, ishte larguar dhe për të s'dihej asgjë.

"Na e kërkuan shërbimet e huaja, hyni në ndërtesën e PD, se është plot me armë atje, por ne s'kishim njerëz. Ata ishin në kushtet e flagrancës. Kishin bërë një grusht shteti dhe ishin në kushtet e flagrancës. Kryeministri s'ishte në Tiranë që mund të merrej një vendim. Këshilli i Sigurimit mund ta kishte marrë atë vendim. Nuk u bë. I vetmi institucion që funksiononte ishte Presidenti dhe kryetari i Kuvendit, përfshirë dhe 2-3 ministra. Në 13 shtator, u mblodh qeveria në selinë e Këshillit të Ministrave ku u dhanë udhëzimet dhe asgjë prej tyre s'u bë. Sepse kryeministri i ishte i pari që iku në drejtim të paditur. Sot Berisha ka për qëllim të diskreditojë, jo se mund të bëjë ndonjë gjë", u shpreh Klosi.