Report TV - Gazetari Veliu: Gjyqtari Ibrahim Hoxha, simbol i korrupsionit

2016-05-03 1

Gazetari Muhamed Veliu ka reaguar pas arrestimit të gjyqtarit Ibrahim Hoxha, duke e akuzuar atë për dhënie vendimi të padrejtë si ndaj tij ashtu edhe ndaj shumë qytetarëve të tjerë.

Në një lidhje telefonike për Report Tv, Veliu tha se arrestimi i Hoxhës është rënia e një gjyqtari të korruptuar i cili sipas tij ishte simboli i korrupsionit në Gjykatën e Tiranës.

Veliu thekson se ndaj gjyqtarit Hoxha ka një mori ankesash nga qytetarët për vendime të padrejta, ndërsa solli në vëmendje edhe kërkesën e ish ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço për procedimin e gjyqtarit, kërkesë të cilën e rrëzoi KLD.

"Kapja në flagrancë duke marrë paratë me djalin e tij, tregon se ky ishte një gjyqtar i korruptuar. Janë një mori vendimesh të padrejta të dhëna nga ky gjyqtar. Nuk është vetëm rasti im, por një mori me raste që e bëjnë këtë gjyqtar shumë politik. Më serioze se historia ime, është mbrojtja që i bëri KLD, pasi ky gjyqtar la të lirë një të kërkuar nga drejtësia italiane. Arrestimi është një korrigjim i atij gabimi që bëri KLD dy vite më parë", u shpreh Veliu.

Ai akuzon edhe një deputet të Partisë Demokratike si sekser dhe mbështetës të gjyqtarit të korruptuar.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, gazetari Muhamed Veliu tha se në Shqipëri ka liri shtypi, por janë vetë gazetarët ata që vetëcensurohen apo kthehen në militantë të partive politike.

Ai apelon që gazetarët të jenë gardianë të lirisë së shtypit.

"Duhet vetë ata që të punojnë dhe ta kthejnë për vetën e tyre raportimin si të shenjtë në shërbim të audiencës dhe jo në shërbim të medias që punojnë. Ky është edhe mesazhi im në këtë ditë", thotë Veliu.