Degët e Partisë Demokratike në rrethe kanë kontestuar propozimin e kryetarit Lulzim Basha dhe të miratuar më pas nga kryesia, për zhvillimin e zgjedhjeve në degë.
Të kontaktuar nga Shqiptarja.com, kryetarët e degëve si ai i Vlorës Moisi Meminaj, Durrësit Osman Stafa, Lushnjes Myslim Murrizi dhe kreu i PD-së në Pogradec, Renato Preza, shprehen kundër zgjedhjeve të reja në degët e PD.
Madje, kryedemokrati i Pogradecit, Preza përmes një letre të bërë publike, ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të PD.
Ai sqaron se ka marrë këtë vendim për disa arsye, nisur nga vendimmarrja e kryesisë së PD, pak ditë më parë, për të kaluar në zgjedhje degën e Pogradecit.
Sipas tij, dega e PD është degë fituese, nisur nga rezultati i zgjedhjeve të fundit vendore, ku Bashkia e Pogradecit iu rikthye Partisë Demokratike pas gati 15 vitesh.
Renato Preza thekson gjithashtu se zgjedhjet e parakohshme në degë kanë ardhur si rezultat i interesave të ngushta të 15 njerëzve në PD, të cilët sipas tij kanë bërë opozitën brenda opozitës në degë.