E kush nuk do të donte të shihte një ish bunker bërthamor top sekret të periudhës komuniste? Kështu e nis shkrimin agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve Associated Press (AP) dedikuar përpjekjeve të Shqipërisë për të tërhequr turistët me anë të Bunkart, ?relika e fundit e të kaluarës së errët komuniste që është shndërruar tashmë në një atraksion modern turistik?.
AP shkruan se qeveria socialiste ka njoftuar se do të hapë Bunkart-in për turistët, që agjencia e cilëson si një ishull fortesë, ndërsa përgatitet të nxjerrë në ankand edhe flotën e vjetër të avionëve luftarakë sovjetikë dhe kinezë.
AP kujton ish regjimi komunist ndërtoi mbi 700 mijë bunkerë betoni të të gjitha përmasave nga paranoja e një pushtimi prej armiqve imagjinarë.
?Mbretëresha e të gjithave, një godinë ekstravagante 5 katëshe në rrethinat e Tiranës që kishte si qëllim të mbronte udhëheqësit e vendit nga një sulm bërthamor, u hap për publikun 2 vite më parë. Autoritetet planifikojnë ta hapin sërish këtë verë?- thotë AP.
Në shkrim përmendet edhe një tjetër bunker që ndodhet nën Ministrinë e Brendshme, i ndërtuar në fillim të viteve 1980, që ka shkaktuar kritika nga Partia Demokratike me pretendimin se qeveria po përpiqet të lartësojë të kaluarën e errët të vendit.
AP citon edhe Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit i cili thotë se muzeu do të ndihmojë në fakt që të ruajë historinë e vendit, pasi brezat e rinj nuk kanë informacione mbi atë që përfaqësonte dikur regjimi komunist.
Gjithashtu, Associated Press bën edhe një përshkrim të detajuar të Bunk'art si një ndërtesë e fortifikuar e ndërtuar me qëllimin për tu mbrojtur nga ndotja radioaktive, sistem energjie elektrike dhe furnizim uji, si dhe një sistem ajrimi të stilit të Gjermanisë Lindore që ende funksionon.
Në shkrim përmendet edhe protesta e Partisë Demokratike vitin e kaluar kundër ndërtimit të bunkerit në oborrin e Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit tentuan ta shkatërrojnë të irrituar nga tentativa e qeverisë për të risjellë simbolet e së kaluarës.
Por arkitekti Artan Shkreli i përfshirë në këtë projekt thotë se kritikat janë absurd, megjithëse shprehet i kënaqur që bunkeri i rezistoi sulmit.
Pas agjencisë së lajmeve "Associated Press", një tjetër media prestigjioze amerikane, "New York Times", ka publikuar shkrimin për çeljen për turistët në Shqipëri të bunkerit antiatomik.