Report TV - Zbulimi i Frrokut zgjati 52 ditë holandezët: Hetim administrativ

2016-05-01 3

Policia holandeze ka nisur një hetim administrativ lidhur me vonesën e identifikimit të Arben Frrokut.

Objekti i këtij hetimi, sipas burimeve nga Policia e Shtetit, do të jetë vonesa me 52 ditë e identifikimit të tij.

Arben Frroku u ndalua me 7 mars të këtij viti, ndërsa vetëm më 28 prill, policia holandeze ka mundur të realizojë identifikimin e plotë të tij, pas kërkimit të informacionit nga policia shqiptare.

Autoritetet policore të Tiranë u vunë në lëvizje pas deklaratës së ish kryeministrit Sali Berisha i cili u shpreh në një emision televiziv se Frroku është arrestuar në Holandë.

Prej muajsh, Frroku mbante identitetin Renato Cepa që në fakt i përket një personi real nga Korça, i datëlindjes 15 nëntor 1967, çka edhe komplikoi së tepërmi identifikimin e tij nga autoritetet holandeze.

Nga burime të Shqiptarja.com mësohet se Cepa është baba i dy fëmijëve, ndërsa policia nuk ka ende të dhëna se ku ndodhet Cepa.

Shqiptarja.com ka tentuar të bisedojë me anëtarë të kësaj familjeje por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, pasi siç shpjegojnë fqinjët e familjes Cepa, ata jetojnë në shtetin grek.

Sa i përket hetimit administrativ që ka nisur policia holandeze nga burime të Policisë së Shtetit mësohet se synohet shmangia e çdo dyshimi të mundshëm mbi veprimet e agjentëve të tyre që kanë shqyrtuar rastin Frroku në Holandë.

Vetëm në fund të hetimit të brendshëm, do të vlerësohet nëse procedura ka hasur në probleme për shkak të palës holandeze apo të palës shqiptare.

Nga veprimet e deritanishme, bëhet me dije se problem është konstatuar në identifikimin e Arben Frrokut nëpërmjet gjurmëve të gishtërinjve.

Gjithashtu, mësohet se paralelisht policia holandeze ka nisur edhe një hetim për falsifikim dokumentesh.

Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije se homologët holandezë po hetojnë se si ka mundur Arben Frroku të jetojnë normalisht në Amsterdam me një identitet që nuk i përkiste atij.

Ndërkaq, mësohet se Policia shqiptare nuk ka nisur asnjë hetim administrativ lidhur me këtë çështje.

Arben Frroku është dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013-ë.