?Princi që erdhi mbi valë? është premiera më e re për fëmijë në Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol).
Një përrallë në balet, e shkruar nga Llaqi Nako vjen këtë fundjavë për spektatorin e vogël. Historia e kësaj përralle flet për një princ që vjen nga valët në një ishull. Banorët e ishullit janë një fis i vjetër indian, por të urtë e paqësor. Punojnë për të siguruar jetesën me gjithçka që ju ofron klima tropikale. Në krye të fisit është prijësia. Ajo ka një vajzë të bukur që quhet Valëza. Prijësia ia ka vënë këtë emër ngaqë valëza rri me orë të tëra në breg të detit me sytë e mbërthyer në thellësi të horizontit.
Një ditë nisi të fryjë një erë e forte, e cila ngriti dallgë të larta që ndjekin njëra-tjetrën të shkumëzuara. Një cast, hëna ndriçoi, përmes reve dhe zbuloi përmes dallgë një qënie të gjallë që po luftonte të arrinte bregun. Ky ishte Princi. Sapo ai preku në tokë, deti u qetësua dhe befas u bë ditë. Princi I lodhur, bie në gjunjë dhe falenderon zotin që preku tokën. Pastaj niset në kërkim të princeshës së tij.
?Princi duhet të kaloj disa vështirësi, duhet të bashkëpunoj dhe të jap prova për të arritur të takojë princeshën e tij. Jeta në komunitet dhe puna në grup janë dy ide që përshkruajnë të gjithë shfaqjen?, shprehet koreografi Llaqi Nako.
Sintetizimi i arteve të muzikës, koreografisë, libretit letrar dhe regjisë, e bëjmë këtë shfaqje unike në llojin e saj.
?Ne jemi një shoqëri, që fëmijëve u jemi shumë borxhlinj, kemi kohë të kufizuar për to, kemi hapësira të pakta të gjelbra për to, pothuaj aspak kënde lojërash. Dhe kur kemi mundësi të bëjmë art dhe teatër, atë duhet ta bëjmë me shumë përkushtim dhe cilësi. Arti dhe teatri, duhet të jetë pjesë e rëndësishme e jetës së tyre, për të kompensuar kufizimet dhe efektet negative që teknologjia dhe jeta sedentare sjell?, shpjegon regjisori. Në këtë shfaqje personazhet e saj, kanë kontakt shumë të afërt me natyrën.
Gjithashtu edhe skena e realizuar nga Hysni Loka apo edhe kostumet e punuara nga Ina Elezi janë përshtatur më së miri me mesazhin që përcjell kjo shfaqje. ?Princi që erdhi mbi valë? është një shfaqje që zgjat rreth 45 minuta dhe do të jetë në skenë çdo fundjavë, të shtunë dhe të diel, në sallën ?Shekspir? ora 11:00.