Report TV - Ja pasaporta false e Frrokut i vodhi identitetin korçarit

2016-04-29 0

Arben Frroku i arrestuar nga policia hollandeze si person i kërkuar nga autoritetet shqiptare për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, ka përdorur pasaportën e një emigranti nga Korça. Një fakt i tillë konfirmohet nga të dhënat e regjistrit kombëtar të gjendjes civile.

Renato Cepa, rezulton të jetë i regjistruar me banim në qytetin e Korçës. Sipas të njëjtit burim informacioni, Cepa, banon në lagjen nr.3 në këtë qytet, në rrugën ?Nesti Dishnica?, nr.6. Cepa rezulton të jetë i martuar dhe ka tre fëmijë. Po kështu edhe të dhënat e tjera në pasaportën Frrokut janë të njëjta me atë të emigrantit, përveç fotos. Cepa rezulton të ketë lindur me 15 nëntor të vitit 1967, dhe është regjistruar si minoritar grek. Dyshimet janë se Frroku mund të ketë vjedhur apo blerë pasaportën ndërsa më pas asaj i është ndërruar fotoja.

Me këtë pasaportë, Frroku, u ndalua nga autoritet policore hollandeze, të cilët konfirmuan se pasaporta ishte e falsifikuar. Pas marrjes së informacioneve se Frroku mund të ishte ndaluar në Hollandë, oficerët e Interpolit, kërkuan informacion nga Interpoli në Hagë, nëse ishte ndaluar ndonjë person me emrin Arben Frroku. Por hollandezët u përgjigjën me datë 27 prill se nuk kishte asnjë informacion në lidhje me arrestimin e një personi me këtë emër.

Sipas informacionit të administruar nga Policia, gjurmët e gishtërinjve të Frrokut në sistemin e Interpolit, nuk mund të krahasoheshin nga sistemi kombëtar në Holandë. Për këtë shkak është dërguar dosje me të dhënat dhe gjurmët përkatëse në mënyrë të posaçme nga policia shqiptare. Të dhënat janë verifikuar me datë 28 prill, pasi data 27 rezultonte ditë pushimi në Holandë.

Pasditen e 28 prillit, vjen informacioni se në orën 17: 15 se të dhënat përputheshin me ato të personit të ndaluar. Në të njëjtin emeil është kërkuar edhe që të dërgohej dosja me të dhënat përkatëse me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Në orën 19:12, po të datës 28 prill Interpol Haga konfirmoi se Frroku ishte arrestuar atë ditë me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë dhe jo më parë.

Free Traffic Exchange