Report TV - Mister kush vrau Enton Nikajn, Prokuroria: 116 vite burg për autorët

2016-04-28 1

Ekzekutuan me pistoletë Enton Nikajn dhe plagosën pronarin e lokal ?Muraga? Ismet Gaxherin më nëntor të vitit të shkuar, prokuroria kërkon 116 vite burg për pesë të pandehur, mes tyre katër për vrasje dhe një për përkrahje të autorit të krimit.


35 vite burg prokuroria kërkoi për Emiljano Tashon, 28 për Bujar Hasanin, 28 për Mirsald Kucanën, 25 vite për Ervis Martinajn ndaj të cilit rëndon masa e sigurisë arrest me burg, por prej më shumë se 6 muaj është në kërkim dhe në arrati.

Për Erjon Biracion prokuroria ka mundur të faktojë vetëm akuzën e përkrahjes së autorit të krimit dhe kërkon një dënim më të lehtë vetëm me 5 vite burg.

Prej nëntor 2015, Report Tv ka sjellë ekskluzivisht fotot nga sekuencat e krimit të ndodhur në periferi të Tiranës në afërsi të Linzës, ku siç shihni, personat e pandehur konfliktohen fizikisht me Nikajn e Gaxherin e më pas vrasin me pistoletë Nikajn.

Por ajo ç?ka mbetet e pazbardhur nga këto hetime dhe nga 4 seanca gjykimi është fakti se kush qëlloi drejtpërdrejtë me pistoletë mbi Enton Nikjan, të riun që humbi jetën në parkimin e lokalit të Gaxherit.

Për vrasjen e Nikajt prokuroria bën përgjegjës si një krim të kryer në bashkëpunim tre të arrestuarit Tasho, Kucanaj, Hasani dhe Ervis Martinaj për të cilët ka kërkuar dhe 4 dënimet më të rënda.

Por çfarë ndodh me këtë proces?
Prej marsit 2016, janë zhvilluar 4 seanca gjyqësore përfshi atë të kësaj të enjte ku janë lexuar konkluzionet e akuzës. Me gjykimin e shkurtuar, në rast dënimi, 5 të pandehurit përfitojnë ulje dënimi me 1/3 pasi kanë pranuar të zgjidhet çështja në gjëndjen që janë aktet.