Rrëzimi i helikopterit, mbyllet hetimi i Ministrisë së Mbrojtjes - News, Lajme - Vizion Plus

2016-04-28 6

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Ministria e Mbrojtjes përfundoi hetimin administrativ per rrëzimin e helikopterit ne fillim te muajit prill ne liqenin e Shkodrës. Burime pranë ministrisë, thanë se pas mbledhjes së të gjitha provave, doli se planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të helikopterit është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura. Sipas konkluzioneve, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij dyjavore, grupi i punës është asistuar nga eksperte amerikane te specializuar për aksidente ajrore. Dy pilotë të Forcave të Armatosura humbën jetën dhe një ushtar profesionist mbeti i plagosur, pasi helikopteri ra në liqenin e Shkodrës. Përplasja me ujin ishte fatale për Kapitenin Florian Deliaj dhe togerin Donald Hoxha, ndërkohë që i plagosur mbeti ushtari Gerald Baramuça.