Report TV - Çuko: Kreu i SHISH i çon informacion Berishës, kontrolli s'ka përfunduar

2016-04-26 1

Kryetari i SHISH Visho Ajazi Lika i çon informacion ish shefit tij, Sali Berisha krahas institucioneve për të cilat ka detyrim ligjor. Deklarata ka ardhur nga anëtari i Komisionit të Sigurisë Arben Çuko në emisionin "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv.

Çuko ka shtuar se kontrolli i nisur disa muaj më parë nga ky komision ndaj SHISH nuk ka përfunduar ende.

Duke folur për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin Çuko theksoi se nuk ka drejtësi sepse sistemi është kapur prej kohësh nga Berisha.

Sipas Arben Cukos vetëm me miratimin e reformës në drejtësi do të merrte zgjidhje ligjore çështja e 21 janarit.

Z.Çuko, cili është reagimi juaj për vendimin e Gjykatës së Lartë për 21 janarin e vitit 2011-ë?
21 janari është një terrorizëm i pastër shtetëror i qeverisë së asaj kohe, nga Sali Berisha kryeministër i asaj kohe, te Lulzim Basha ministër i Brendshëm. Dy të akuzuarit konkret ishin thjesht zbatues qorra, injorantë, të atij urdhri që dhanë dy personat që përmenda më lart. Ndonjëherë më shkon në mendje si baba, si prind, pastaj si politikan, lus zotin të mos u ndodhë ndonjë gjë atyre 5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, siç u ndodhi atyre katër. Ky është një krim masiv qeveritar i urdhëruar direkt nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha.

Qeveria Rama nuk ka gjetur prova. Ju keni shërbyer për disa vite si komandat i Gardës. Si funksionon marrëdhënia mes Ministrisë së Brendshme dhe Gardës së Republikës?
Unë kam shërbyer për 7 vjet si Komandant i Gardës, në periudhat më të vështira, 1998-2005. Gjatë asaj kohe ka patur ngjarje të ngjashme po aq sa të 21-janarit por as unë e as ndonjë pjesëtar tjetër, as u mendua që të hapej zjarr drejt e në mish shqiptarëve. Ligji ta ndalon në mënyrë të prerë të hapësh zjarr jashtë juridiksionit dhe kundër turmave. Dhe ligji kur përcakton hapjen e zjarrit nuk ka asgjëkundi termin asgjësim, por thotë neutralizim. Pasi janë përdorur gazi lotsjellës, përballja fizike pastaj fillon hapja e zjarrit brenda rrethimit të institucionit dhe duhet neutralizuar, pra qëllohet në mes e poshtë. Asgjësimi është vetëm në rastin e një sulmi të armatosur, të drejtpërdrejtë dhe të momentit. Pra, nëse disa persona me armë tentojnë të futen brenda, tentojnë të asgjësojnë rojet dhe objektin, atëherë gjuhet për asgjësim. Në rastin e një demonstrate nuk mund të asgjësohet një njeri i cili gjuan me gurë.

Free Traffic Exchange