Report TV - "CEZ" Balla: 414 mln € dëm, do dëshmojë Berisha dhe ministrat

2016-04-26 3

Komisioni parlamentar që do të hetojë zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) kompanisë CEZ nga qeveria paraardhëse, është mbledhur të martën, në mungesë të deputetëve të opozitës, të cilët e kanë bojkotuar për 10 ditë Kuvendin.

Në fjalën e tij, kryetari i komisionit, Taulant Balla ka deklaruar se për të dëshmuar për këtë cështje do të thirret edhe Berisha dhe ish-ministrat e qeverisë së tij.Dëmi sipas tij i shkaktuar është 414 mln euro. Po ashtu do të thirren edhe ish-drejtues të Entit Rregullor të Energjisë.

"Totali i dëmit të shkaktuar konsumatorit dhe financave të KESH sh.a është 414 mln euro ose 57 miliardë 931 milionë e 41 mijë 292 lekë të reja. Duke qenë në në procesin e privatizimit janë përfshirë shumë institucione të pavarura. Është përgjegjësi i e Kuvendit që përmes këtij komisioni të kryejë një hetim të plotë paralmentar për të evidentuar respektin e legjislacionit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit shqiptar gjatë procedurës së privatizimit."-tha Balla

Kryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, duke prezantuar objektin e hetimit, tha se nga procesi i privatizimit të OSSH-së konstatohen parregullsi të shumta ligjore dhe favorizim i kompanisë CEZ, jo vetëm gjatë privatizimit, por edhe në periudha të mëvonshme.

Sipas Ballës, nga viti 2009, kur u krye ky proces, deri në vitin 2013, ish-qeverisja e djathtë e Partisë Demokratike favorizoi kompaninë çeke në mënyrë të paligjshme, duke i shkaktuar qytetarëve shqiptarë një dëm prej 414 milion euro. Gjithashtu, sipas maxhorancës shkelje konstatohen dhe në negocimin e marrëveshjes së shitjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, ndërmjet ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe CEZ-t, ku evidentohen efekte negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të saj.

Çështja CEZ do të hetohet paralelisht nga dy komisione parlamentare, të kërkuara nga PS dhe PD. Ndërsa objekti i komisionit të kërkuar nga PS është hetimi i privatizimit të CEZ-t në vitin 2009 nga qeverisja e PD-së(sot në opozitë), komisioni i kërkuar nga Partia Demokratike do të hetojë mbi zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke në vitin 2014, nga ku PD pretendon se shtetit i është shkaktuar një dëm prej 600 milionë eurosh