Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare, arkitekti i njohur shqiptar, Klement Kolaneci. Kolaneci lindi më 26 shkurt të vitit 1948 në Tiranë. Arkitekti i njohur ndërroi jetë pas një sëmundjeje të pashërueshme, rreth orës 03.00 të mëngjesit të sotëm.
Ai ishte autori i shumë veprave simbolike në Shqipëri, dhe gjithë jetën e tij e kaloi si një arkitekt profesionist duke realizuar rreth 400 vepra me rëndësi kombëtare dhe publike. Mes shumë veprave arkitekturore në Shqipëri të Klement Kolanecit mbeten ?Piramida? dhe ?Pallati i Kongreseve?.
Interesante mbetet arkitektura e Piramidës. Projekti i piramidës iu besua arkitektit të njohur Klement Kolaneci që ishte njëherazi dhëndër i Hoxhës dhe në grupin e projektimit merrnin pjesë Pranvera Hoxha, Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu.
Piramida pas dëmtimeve të shumta, për shkak të motiveve politike e simbolike që lidheshin me diktatorin Enver Hoxha, sërish u mbrojt nga intelektualët dhe Parlamenti dhe është në proces rijetëzimi duke u konsideruar si një vepër me vlera arkitekturore dhe historike.
Klement Kolaneci e ideoi Piramidën duke u mbështetur edhe në varret monumentale ilire, por edhe me konceptin e një muzeu.
Qeveria Komuniste ideoi ndërtimin e një muzeu për Enver Hoxhën pas vdekjes së tij në vitin 1985. Muzeu u ideua brenda një kohe rekord prej dy vjetësh dhe në vitin 1988 u inauguruar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Hoxhës.
Klement Kolaneci është bashkëshorti i Pranvera Hoxhës, vajzës së ish-diktatorit Enver Hoxha. Varrimi për të ndjerin Kolaneci bëhet sot në orën 15.00 në varrezat e Sharrës.
Në një intervistë të dhënë para disa vitesh, Kolaneci pati deklaruar se ëndrra e tij e madhe ishte projekti i Aeroportit të Rinasit, që ishte edhe punimi i diplomës së tij, i projektuar në formën e një dinozauri.