Report TV - "Shullazi", prokuroria heton për rastin Vollga e kallëzimin e Zikës

2016-04-18 0

Pas arrestimit të Emiliano Shullazit bëhet me dije se Prokuroria është duke hetuar të paktën dy raste, ku Shullazi ka përfituar apo ka kërcënuar për përfitim të një pasurie të paluajtshme.

Emri i Emiliano Shullazit rezulton në dokumentet e pronarëve të ish-hotel Vollgës në Durrës ku në rrethana ende të paqarta, ish-pronari i kësaj godine ia ka dhuruar pjesën e tij Emiliano Shullazit.

Siç e shikoni edhe në këto dokumente Shullazi është bashkëpronar edhe me dy shtetas të tjerë të kësaj godine.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë me dije se ekzistojnë prova që e lidhin atë me kërcënimin e pronarit të një parkingu në Tiranë.

Prokuroria i referohet një kallzimi të bërë në shkurt nga shtetasi Arjan Zika, sipas të cilit është kërcënuar nga Shullazi për një parking 1200 metra/katrorë në Tiranë.

Në dëshminë e tij Zika është shprehur se është takuar katër herë me Shullazin, i cili i ka kërkuar të riblejë me çmimin e sotëm sipërfaqen e blerë vite më parë.

Për këtë rast dyshohet se ambientet e biznesit të Arjan Zikës, janë sulmuar me tritol në rrethana ende të paqarta. Pas kësaj ngjarje ai është detyruar që të bëjë kallëzimin penal dhe të arratiset jashtë vendit.

Shullazi bashkë me bashkëpunëtorit e tij, Gilmando Dani e Blerim Shullazi, janë ndaluar si të dyshuar për veprat e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, shkatërrim prone me eksploziv, si dhe atë të gjobëvënies.

Emiljano Shullazi u ndalua mbrëmë nga Policia e Tiranës, pak orë pas deklaratës së ish-kryeministrit Berisha, i cila tha se Shullazi kishte kërcënuar kandidatin për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni në mënyrë që ai të tërhiqej nga gara, duke shtuar se pas tij fshihej kryeministri Edi Rama.