Report TV - Shpresë edhe për Lurën, mbillen 500 fidanë pishash

2016-04-17 6

Ajo çfarë ka ndodhur pas viteve '90 të shekullit të kaluar në parkun natyror të Lurës, ka qenë e tmerrshme. Një masakër në prerjen e mijëra hektarëve pyje kryesisht pisha, në një sipërfaqe prej 40 mijë hektarësh. Pamjet ekskluzive të kameras se Report tv trondisin.

Ambientalisti Xhemal Mato thotë se pas viteve '90 parku i Lurës u kthye në një ndërmarrje pyjore, në vend të një parku natyror.

Fundjava mblodhi në parkun Natyror Kombëtar të Lurës mbi 200 vullnetarë, të cilët në një aksion model organizuar nga Ecovolis dhe disa shoqata të tjera, nen sloganin "Të gjithë për Lurën" sfiduan për të dytën herë relievin e thyer në një zonë malore 1700m metër mbi nivelin e detit. Qëllimi i aksionit, mbjellja e 500 fidanëve të rinj pishash pas katastrofës së prerjes së pyjeve nga banditë të veshur me pushtet.

Ndërsa drejtuesi i Ecovolis thotë ishte pasioni për pemët dhe Lurën, ai që i mblodhi në këtë aksion.

Drejtuesi i nismës "mbill pemën tënde", Eljan Tanini thotë se Parku i Lurës duket si një fantazmë e mbushur me pemë të prera e të lëna aty.

Ndërsa aktivisti Arbër Çepani e shek aksionin e vullnetarëve si një mesazh që tregon se Shqipëria mund të bëhet një vend më i mirë.

"Më vjen mirë që shoh kaq njerëz që po angazhohen këtu, që po japin një shpresë të re jo vetëm për Lurën. Që po japin një mesazh bashkëmoshatarëve që po tregojnë jo vetëm me 500 fidanë por me shumë dashuri që ky vend mund të bëhet dhe janë njerëz që po tregojnë se Shqipëria më në fund mund të bëhet një vend më i mirë," thotë ai.

Në mbështetje të ecovolis në aksionin për ripyllëzimin e Lurës ishte edhe kompania Lura, ku presidenti i saj Dod Doçi thotë se ndihet i fyer nga masakra që i është bërë Lurës.
Në aksionin e zhvilluar në parkun e Lurës, veç vullnetarëve dhe disa përfaqësuesve vendor ra në sy mungesa e deputetëve të qarkut e përfaqësuesve të ministrisë së Mjedisit dhe politikbërësve të tjerë.

"Politika është ajo nganjëherë që lejon shkatërrimin e një pasurie kaq të madhe por është ajo që duhet ta ndryshojë këtë situatë. Prandaj ka shumë rëndësi dhe ndikimi i politikës dhe shtytja e politikës për ta përmirësuar situatën dhe për ta mbrojtur Lurën," mendon ambientalisti Mato.

Drejtuesit e Ecovolis, përsëritën se aksione të tilla që i kapërcejnë kufijtë lokal do të gjejnë një shtrirje edhe më të gjerë përtej Tiranës si në rastin e Lurës, ku të rinjtë do të mbjellin mbi 500 fidanë pishash për ripyllëzimin e parkut natyror. Report Tv do të sjell së shpejti në Veri-jug një reportazh kushtuar ripyllëzimit të Lurës.

Free Traffic Exchange