I vë flakën 4 automjeteve në Tiranë policia shpall në kërkim të riun, i cili dyshohet se u hakmor ndaj familjes së ish të fejuarës.
Është kjo pista kryesore e hetimeve të bluve në kryeqytet të cilët deri më tani kanë shoqëruar e marrë në pyetje pronarët e mjeteve të djegura dhe disa prej personave që kanë parë ngjarjen.
Burime për ReportTv bënë me dije se një prej automjeteve të djegura i përket shtetases me iniciale A.A e cila është pedagoge në Universitetin Bujqësorë në Kamëz.
Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë nuk është fiksuar momenti i djegies thanë hetuesit, por fakti që prej më shumë se 1 viti familja e pedagoges kërcënohej nga ish i fejuari i motrës së saj ka çuar policinë në gjurmët e autorit të dyshuar.
Dy nga mjetet e tjera të përfshira nga flakët janë dëmtuar vetëm për shkakun se kanë qenë të parkuara pranë makinës së pedagoges dhe bashkëshortit të saj.
Zjarri në dy mjetet e parkuara në rrugën ?Agim Qarri? poshtë pallatit ku banonin e pronarët e tyre është i qëllimshëm dhe është shkaktuar me afro 2 litra benzinë.
Ky është rasti i dytë i zjarrvënieve në harkun kohor të dy javë në Tiranë ku shkak është prishja e raporteve intime midis çifteve dhe hakmarrja.
Më 2 Prill ishte Desara Mançellari ajo e cila dogji 4 automjetet e babait të ish të dashurit të saj Filip Papajani.