"Marrëveshja e firmosur nga kryeministri Edi Rama me FBI, për Byronë Kombëtare të Hetimit, është testi se ai nuk ka frikë nga lufta ndaj korrupsionit".
Kështu u shpreh kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, gjatë intervistës në "45 minuta" nga Denis Minga në Report Tv.
Sipas avokat Ngjelës, të frikësuar nga kjo firmë e kreut të qeverisë shqiptare në kuadër të reformës në drejtësi, janë partnerët e tij, por pa përmendur emra.
E rëndësishme, sipas Ngjelës, mbetet zbatimi i saj, pasi siç shpreh ai reforma në drejtësi dhe Byroja e Hetimit mund të futen edhe në "kalendat greke".
"Kryeministri firmosi pa kokëçarje një akt shumë të madh që mund të jetë një rrezik për partnerët e tij. Ai ka bërë një akt. Se si do të ecë tani e tutje nuk e di. Por besoj se do të jetë një drejtim i mbarë për hetimin", u shpreh ai.
Ngjela komentoi edhe deklaratat e kryeministrit Rama ndaj kandidatit republikan për President të SHBA, Donald Trump. Sipas tij, Rama është pozicionuar në mbështetje të kandidates demokrate, Hillary Clinton dhe ai beson se ajo do të jetë Presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I pyetur për pozicionin e tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Ngjela tha se do të jetë në koalicion me më të fortin dhe sipas tij, më e fortë është e majta.