Report TV - Rrëzimi i helikopterit, zbardhet autopsia, ja pse vdiqën dy pilotët

2016-04-15 1

Vdekja e pilotëve të helikopterit të rrëzuar në Liqenin e Shkodrës ka ardhur nga dëmtime fizike në trup dhe nga mbytja.

Floran Deliaj dhe Donald Hoxha mbetën të vdekur pa pasur mundësi që të shpëtonin, për shkak se helikopteri që ata drejtonin ra përmbys, pasi kishte humbur drejtimin mbi liqen.

Një lajm i tillë është konfirmuar për Report Tv, nga burime të Prokurorisë dhe të Policisë së Shkodrës, që thanë se grupi i ekspertëve mjeko-ligjorë ka nxjerrë konkluzionet paraprake të shkaqeve të vdekjes së dy pilotëve, toger Donald Hoxha dhe kapiten Floran Deliaj.

Sipas këtyre të dhënave, Deliaj, dyshohet se ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimit që ka pësuar në trup. Sipas mjekëve, janë vënë re shembje në organet e brendshme, dëmtime në pjesën e sipërme të kokës, lëndime në qafë si dhe dëmtime të gjymtyrëve.

Ndërkaq, piloti tjetër, Donald Hoxha, ka ndërruar jetë nga asfiksia mekanike e shkaktuar nga mbytja në ujë. Sipas konkluzioneve të mjekëve, që kanë kryer kqyrjen e trupave dyshohet se Donald Hoxha, ka mbetur i bllokuar në ndenjësen e tij të pilotit për faktin se nuk ka mundur të shkëpusë rripin e sigurimit që ishte lidhur në pjesën e posaçme fiksuese.

Ende nuk dihet nëse Hoxha, nuk ka mundur ta shkëpusë rripin, për faktin se ka qenë në panik, nëse pajisja ka pasur defekt, apo se është dëmtuar pas rrëzimit.