Koncesionet përplasin PS - LSI - News, Lajme - Vizion Plus

2016-04-13 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Koncesionet përplasin dy aleatët kryesorë të qeverisë: Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Socialiste. Nisma e depozituar nga deputeti Petrit Vasili, i cili kërkon që çdo koncesion, apo Partneritet Publik Privat që zgjat më shumë se katër vite të miratohet në parlament, nuk gjen konsensusin e socialistëve. Por relatori i çështjes, Namik Kopliku, së bashku me kreun e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduart Shalsi, këtë herë kanë zëvendësuar opozitën që mungonte në seancë dhe kundërshtuan si të pabazë projektligjin e deputetëve të LSI. Pavarësisht kundërshtimeve, Vasili ishte i qartë te ajo që kërkonte: Të mos miratohet asnjë kontratë nëse vlerën e investimit mund ta bëjë shumë mirë buxheti i shtetit dhe nëse kostoja për qytetarët është e lartë. Duke kundërshtuar rastin e koncesionit te Check Up-it apo të asaj që ka miratuar qeveria Berisha për markimin e karburanteve, kreu i grupit parlamentar të LSI, theksoi se marrëveshjet me privatin, duhet të jenë transparente. Tensioni mes socialistëve dhe deputetëve të LSI-së është shoqëruar edhe me debate personale. Para 8 javësh, Petrit Vasili dhe Përparim Spahiu çuan në kuvend një amendim të ligjit për koncesionet, ku kërkuan qe financat, ekonomia dhe avokatura e shtetit të japin mendim para se të nisë diskutimi me biznesin për të marrë shërbimin publik. Socialistët e kundërshtuan këtë procedurë të re me argumentin se kontrata të tjera si ajo e skanimit apo pullave fiskale, edhe pse kanë kaluar në parlament, nuk kanë ndaluar abuzimin e privatit me tarifat.