Për Ben Blushin s'ka më pikëpyetje se referendumi i 9 prillit për mandatin e kryetarit të PS, është manipuluar. Reagimi i deputetit kritik erdhi një ditë pas publikimit në një emision investigativ të një video gjatë votimit të anëtarësisë socialiste ku një person votoi dy herë.
Deputeti socialist tha se do të kërkojë hapjen e kutive për të hedhur dritë sipas tij, mbi grabitjen e votave të socialistëve.
"Të hapen kutitë dhe të verifikohet emër për emër kush ka votuar. Mbrëmë pamë se kishin votuar dy herë në kuti. Të gjithë mund të binden se ky referendum është trukuar duke hapur kutitë. Demokracia e brendshme e në PS po cenohet rëndë me prova", tha Blushi.
Ai sqaroi se as nuk do të hyjë në grevë urie, por as do të ngrejë pati në Gjykatë ndaj PS-së.
"S'kam ndërmend të hyj në grevë urie. Do të ishte e nevojshme, edhe pse ka shumë prova, por nuk do ta çoj PS-në në gjykatë. Unë nuk fajësoj PS-në, por rilindjen, Ky nuk është një ves socialist, por një ves i rilindjes. Rilindja është një aksident që duhet shmangur", deklaroi deputeti socialist.
Ben Blushi foli edhe për reformën në drejtësi, ku theksoi se zgjidhje për të mund të ishte referendumi. "Meqenëse shkuam për një çështje pa kuptim për referendum brenda partisë, pse nuk i japim mundësi shqiptarëve, t'i pyesim se çfarë standardi të drejtësisë duan. Kjo klasë politike po i heq shumë të drejta shqiptarëve dhe po i merr vetë. Ta zgjedhin shqiptarët se çfarë reforme në drejtësi duan", theksoi ai.