Report TV - Lirimi i Domart Konjarit, KLD asnjë masë për gjyqtarët e Apelit

2016-04-11 6

Ankesa e Kryeprokurorit Adriatik Llalla për lirimin nga burgu të Domar Konjarit nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e kësaj të hënë.

KLD ka vendosur të pritet rezultati i inspektimit të nisur nga ministria e drejtësisë për 5 gjyqtarët e apelit të krimeve të rënda që liruan Konjarin e më pas të vendoset nëse do të ketë apo jo masa për togat e zeza.

Domart Konjari u la në masën e sigurisë detyrim paraqitje më 14 Mars nga Apeli i Krimeve të rënda, ndërsa menjëherë pas heqjes së arrestit reagoi ambasada Franceze dhe Ministri Manjani.
Konjari u prangos teksa udhëtonte drejt Greqisë me një pasaportë të falsifikuar ndërsa rezulton person i hetuar dhe nga autoritetet franceze për trafik droge.

Ndërsa shqetësimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për gjyqtarin Laert Fuçia Këshilli i Lartë i Drejtësisë i është përgjigjur duke vendosur inspektim tematik në gjykatën e Vlorës për të gjitha vendimet për masat e sigurisë dhe çështjet e pronësisë.

Për sa i përket strukturës që do të administrojë formularët e vetëdeklarimet për efekt të dekriminalizimit nga gjyqtarët KLD ka vendosur që të jetë e njëjta drejtori e cila administron deklaratat e pasurisë pranë këtij institucioni.