Ish kryeministri Sali Berisha hedh poshtë pretendimet e përfshirjes së djalit të tij në skandalin "Panama Papers". Sipas tij, evazionin fiskal dhe pastrimin e parave në fakt e kanë bërë deputetët dhe ministrat e PS-së.
"Të shkojnë e të japin një fakt të vetëm, i kanë të gjitha pushtetet, të gjitha institucionet. Ata mbrohen me mashtrime por mashtrimet nuk i shpëtojnë. Por problemi është ky; Panama off-shore është Surreli, Panama off-shore është një pallat aty afër shtëpisë sime, Panama off-shore është Beqaj, Panama off-shore është Kokëdhima, këta kanë parajsën këtu s?kanë nevojë të shkojnë atje", u shpreh Berisha.
Lidhur me përfshirjen e supozuar kanadezes Global Fluid International në këtë skandal, Berisha tha se kompania e përmendur në dokumentet e Panamasë është një klon i asaj origjinales e drejtuar nga njerëzit e Edi Ramës.
Sipas tij, GFI ishte përzënë nga qeveria "Rama" në 2015.
"Në 2015 ndodhi që Edvin Rama, kundrejt xhepit, pranon që GFI të largohet në shtator dhe të vijë Global Edvin International, absolutisht në shkelje të kontratës dhe në mënyrë kategroike nuk bëhej pa një ryshfet shumë të madh. Global kishte kompani linje, dhe kompania e linjës në kundërshtim me kontratën u la të ikte. Pse u la të ikte? Ajo gjeti e shiti, kryeministri mori paratë, sepse pa para nuk bëhet kurrë ajo. Unë e kam mësuar këtë vetëm mbrëmë vonë, gjë e pabesueshme, se kur ma thanë një herë e verifikova nja tre herë. Dhe për të maskuar këtë operacion mega korruptiv kanë krijuar një kompani me emër të ngjashëm, mbrapa të cilit është Olsi, Ahmetaj, cili të doni mund të jetë, mund të jetë Rama, kryesisht ai", theksoi ish kreu demokrat.
Ndërkaq Shërbimi Informativ Shqiptar mund të thirret për të raportuar mbi informacionet që ka për përfshirjen e shqiptarëve në "Panama Paper".
Këtë e konfirmon Pjerin Ndreu, anëtar i komisionit i cili u akuzua nga Berisha për përfitim tenderësh së bashku me njerëzit e Erion Braçes.