Në nisje të seancës plenare të kësaj të enjteje, kreu i Kuvendit Ilir Meta njoftoi se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, u ra dakort që të hënën që vjen të mblidhet Këshilli i Rregullores dhe Mandateve për të gjetur rrugën më të drejtë për të dërguar në Gjykatë Kushtetuese, mandatin e deputetes Valentina Leskaj, ndërsa të enjten e ardhshme do të hidhet në votim.
Por vetë Leskaj, tha se kishte insistuar në Konferencën e Kryetarëve që kërkesa e saj që i është dërguar kuvendit 8 ditë më parë të diskutohet dhe të miratohet në seancëm e sotme.
"Besoj që Këshilli i Mandateve mund të mblidhet edhe sot që të marrë vendimin në mënyrë që kërkesa ime me shkrim të shkojë në Gjykatë Kushtetuese. Unë i kam kërkuar PD që ta çonte kërkesën në Gjykatë Kushtetuese, por nuk e çoi. Unë kërkoj edhe njëherë në seancë që sot të votohet kërkesa, për ta çuar në Kushtetuese," tha Leskaj.
Edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka kërkoi që çështja e mandatit të Leskajt dhe Sulit të hidhet sot në votim.
"Më në fund maxhoranca ka vendosur të tërhiqet nga shkelja e kushtetutës dhe të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese sikundër është ajo që ne kërkojmë prej kohësh, pavarësisht se ky Parlament dhe në këtë moment, derisa të bëhet votimi i këtyre akteve vazhdon të jetë në krizë kushtetues. Për këtë arsye unë ju kërkoj që meqë kemi mirëkuptimin e maxhorancës, të futet në rend të ditës dhe të votohen sot te dyja kërkesat dhe të dërgohen nëg Gjykatën Kushtetuese," tha Paloka.
Por kërkesa e Leskajt dhe Palokës nuk u pranua nga kreu i kuvendit Meta, i cili ritheksoi dhe njëherë duke iu referuar Konferencës së Kryetarëve që të hënën do të mblidhet Këshilli i Mandateve dhe të enjten e ardhshme çështja do të hidhet në votim.