Duke filluar nga data 20 prill, për të marrë leje ndërtimi mund të aplikohet online në portalin e-Albania.
Vendimi më i fundit i Qeverisë parashikon që procedura e aplikimit dhe miratimit të lejeve të ndërtimit të bëhet edhe në mënyrë elektronike. Sipas Ministrisë së Zhvillimit Urban, nga data 20 prill deri më datë 31 gusht 2016, qytetarët mund të vijojnë të aplikojnë në të dy mënyrat: në rrugë elektronike dhe në formë shkresore. Ndërsa, duke filluar nga data 1 shtator 2016, aplikimi, shqyrtimi dhe miratimi i lejeve do te kryhet vetëm përmes sistemit elektronik.
Vendimi i qeverisë parashikon gjithashtu se afati i shqyrtimit për lejet e ndërtimit nga bashkia është 15 ditë, ndërsa institucionet e tjera që duhet të japin mendimin e tyre në lidhje me lejen duhet te përgjigjen brenda 10 ditëve pune. Në rast se institucionet publike nuk i japin përgjigje bashkisë brenda 10 ditëve pune, miratimi i tyre konsiderohet i dhënë në heshtje dhe bashkia mund të vijojë më tej me shqyrtimin e aplikimit.
Në çdo rast të mungesës së përgjigjes nga bashkia brenda 60 ditësh nga dorëzimi i kërkesës së aplikuesi, sistemi gjeneron vendim për miratimin në heshtje.
Sistemi do të kryejë përllogaritjen automatike të afateve të shqyrtimit të kërkesës dhe do të evidentojë dhe informojë nëpunësit për vonesat e mundshme. Për të kryer aplikimin, qytetarët do të regjistrohen në portalin e-Albania duke mundësuar përdorimin e shërbimit të aplikimit online të e-lejeve.