Report TV - Në nivel historik norma e interesit Kondi: Nuk po jep efekte pozitive

2016-04-06 1

Gazetari i njohur i Ekonomisë në Shqiptarja.com, Genc Kondi, e sheh si një masë lehtësuese për investitorët dhe ekonominë, uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. I ftuar në studion e Report Tv, ai thekson se kjo përpjekje nuk po jep rezultate pozitive që të përkthehet në rritjen e qarkullimit të parasë dhe për rrjedhojë edhe në nxitjen e investimeve.

"Qëllimi i kësaj mase është të lehtësojë Bankat që të japin kredi dhe t'i japë një spunto ekonomisë. Pra, jep një mundësi të mirë për të dhënë kredi. Kjo masë e Bankës së Shqipërisë, çon edhe në uljen e normës së kredisë. Ajo që po vëmë re është se, janë kryer 13 ulje të njëpasnjëshme të normës së interesit nga BSH, që nga 2011-a, pra në 5 vjet kjo. Mund të ndodhte edhe më shumë, ose kjo shifër mund të ishte arritur më përpara po të mos kishim ato rezervat e mëdha të Këshillit Mbikëqyrës. Madje edhe në mbledhjen e sotme, sipas burimeve të brendshme, Këshilli Mbikëqyrës ka patur qëndrime të ndara për uljen e normës së interesit. Problemi është se kemi arritur një rekord negativ, dhe rezultati i kësaj është se konsumi në Shqipëri vazhdon të jetë i ulët. Ky konsum i ulët e mban inflacionin të ulët. Ndryshe nga sa mendojmë se na interesojnë çmimet e ulëta, ai duhet të jetë nga 2-4%, aktualisht e kemi 0.2% dhe jemi në prag të deflacionit. Kjo sjell një efekt zinxhirë në ekonominë prodhuese me efekte negative", u shpreh Kondi.

Duke shpjeguar vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipëri, ai theksoi se efektet negative bien mbi bonot e thesarit, ku ulja e normës së interesit, ngrin paratë.

"Nga vendimi i BSH, ulet përqindja që duhet të paguajë një shqiptar për kredinë që ka marrë, ose kreditë e reja që do të jepen me interes të ulët, së dyti bonot e thesarit që kishin një normë me 10%, tani me një normë kaq të ulët paratë do të ngrijnë sërish. As bono thesari, për të çuar lekë në shtet, nuk kanë interes se kanë mbërritur në 1.5% deri në 1.6%. Kohët e fundit është vënë re edhe tërheqja e kursimeve nga shqiptarët", theksoi ai.

Sipas Kondit, në kushtet e uljeve drastike të normës bazë të interesit, shteti duhet të gjejë mënyrat e tjera, pasi sipas tij, nuk është vetëm detyrë e Bankës së Shqipërisë, që të joshë shqiptarët për të investuar në ekonominë e tyre.

Edhe pse nuk e mohon që norma bazë e interesit mund të ulet sërish, duke bërë një prognozë të situatës ekonomike në vijim, Kondi theksoi se Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, janë shprehur për rritje ekonomike.

"Kjo mund të shkojë edhe më poshtë se kaq, por varet nga zhvillimi ekonomik. Për këtë janë edhe mendimet e FMN-së e BB-së që kanë dhënë nota optimiste për zhvillimin nga 2016-a e në vijim, pasi u shlye mali me borxhe. Por, përsa kohë është arritur një spostim i problemeve, nëse hapen vende të reja pune, vijnë investime si TAP dhe nëse rritja ekonomike arrin në 3% në vit sipas parashikimeve, mund të kemi një masë në krah të kundërt", theksoi më tej gazetari i Ekonomisë në Shqiptarja.com, Genc Kondi.