Report TV - Gardisti vret gruan me armën e shërbimit, shkak xhelozia

2016-04-06 1

TIRANË- Një konflikt për motive xhelozie ka përfunduar me vrasjen e një gruaje mëngjesin e kësaj të mërkure rreth orës 07.10 në kryeqytet.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në familjen Dervishi në rrugën e Qelqit, në zonën e Kombinatit, ku burri ka vrarë me armë zjarri gruan.

Bëhet fjalë për 29-vjeçarin Admir Dervishi nga Tepelena, punonjës i Gardës së Republikës dhe baba i dy fëmijëve. Sipas policisë mësohet se Dervishi, tashmë i arrestuar, ka qëlluar bashkëshorten I.Dervishi, me armë zjarri, ku shenja e plumbit ka mbetur edhe tek dera.
E plagosura nuk mundi t?u shpëtojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spitalin e QSUT, 2 orë pas ngjarjes. Konflikti mes gardistit 29-vjeçar dhe bashkëshortes së tij, mësohet se nisi në mëngjes, pak kohë pasi Dervishi kishte mbërritur në shtëpi pasi kishte përfunduar turnin e tretë.

Mes çiftit pati një debat, për motive xhelozie ndërsa 29 vjeçari nisi të thyente dhe të përplaste orenditë e banesës, duke u konfliktuar edhe fizikisht me bashkëshorten, ndërsa fëmijët ndodheshin në banesë.

Kur gruaja tentoi të dilte nga shtëpia, gardisti qëlloi pesë herë mbi bashkëshorten. Kjo e fundit mori dy plagë në trup. Ndërkaq dy fëmijët, Dervishi i dërgoi tek një familje fqinje pas krimit ndërsa zbriti shkallët ku u ndalua nga policia e komisariatit numër 6 e cila ishte njoftuar nga një fqinj i katit të tretë që kishte dëgjuar të shtënat.

Admir Dervishi, punonjës i Gardës së Republikës që nga viti 2009 e ka qëlluar gruan e tij me armën e shërbimit, pistoletë tip TT ndërsa mësohet se ka qenë edhe në gjendje të dehur. Menjëherë pas ngjarjes, Garda e Republikës ka njoftuar shkarkimin e Dervishit. Nga hetimet e para, policia konfimroi se shkak i ngjarjes ishte bërë situata e xhelozisë mes çiftit.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e policisë konfirmuan gjetjen e pesë gëzhojave plumbave dy prej të cilëve kishte marrë në trup gruaja e re si dhe sekuestroi armën e krimit.

Dëshmitarë të ndryshëm jashtë kamerave thanë se çifti kishte më tepër se një muaj që banonte në këtë banesë, dhe nuk njiheshin për probleme apo konflikte më parë.

Tashmë Dervishi ndodhet i arrestuar dhe do të hetohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, kjo për shkak të krimit brenda familjes.

Sakaq mbetet engimë fati i dy fëmijëve të vegjël, të cilët tashmë mbeten vetëm, pas vrasjes së të ëmës, ndërkohë që i ati do të jetë në burg.